E djeshmja mund të konsiderohet si e ‘premtja e zezë’ për plazhet shqiptare.
6 persona kanë ndërruar jetë brenda një ore në përpjekje për t’i shpëtuar vapës ekstreme.
Fillimisht në plazhin “Porto Romano” një 68-vjeçar shfaqi shqetësime sapo u fut në det, teksa gjatë rrugës për në spital ndërroi jetë. I njëjti skenar u përsërit në plazhi ne Talës, në Lezhë, ku një 52-vjeçar vdiq pasi uji i shkaktoi probleme.
Në të dy këto raste, shkak për vdekjen dyshohet një arrest kardiak, si pasojë e nxehtësisë.
Por tragjedia ka marrë përmasa kur 4 persona, babai me dy djemtë dhe kushëriri i tyre janë mbytur në liqenin e Banjës. Arben Zogu, rreth 46 vjeç, Rubens Zogu 19 vjeç dhe Esti Zogu 14 vjeç, (babai me dy djemtë) dhe kushëriri i tyre Melis Zogu, 20 vjeç, sipas deklarimeve të familjarëve dhe më pas të policisë, janë futur në liqen për t’u larë dhe nuk kanë dalë më.