Muaji shkurt parashikohet që të mbizotërohet kryesisht nga moti i thatë dhe me temperatura relativisht të ngrohta.
Sipas meteorologes Lajda Porja, 10 ditët e para të muajit 1ë kemi hyrë nuk do të ketë reshje.
Ajo thotë megjithatë se në gjysmën e dytë të shkurtit pritet i ftohtë polar për disa ditë e po ashtu edhe në fund të marsit.
“Shkurti ka startuar me mot të qëndrueshëm, do të jetë me mot të qëndrueshëm të paktën për 10-ditëshin e parë nuk ka sinjale për reshje.
Këto retë dhe vranësirat që shikojmë tani do të largohen gradualisht, në mesditë do jetë diell, do ketë vranësira në pjesën e dytë të ditës.
Nuk ka reshje sot, 18 gradë është, le të themi 3-4 gradë mbi.
Edhe nesër, të paktën fundjava se dhe sot ka një rritje të lehtë, do të ndryshojnë edhe mëngjeset.
Pra kemi rritje në vlerat minimale në zonat malore, më e ulëta është 0 apo -1 ekstremi, le të themi Bajram Curri më pas kalon në pozitive gjithë zona malore, Kukësi, Peshkopia, të gjitha zonat do jenë 2-3 gradë.
Një nga faktorët që ndikon në ndjesinë se është më ftohtë apo më ngrohtë nga sa janë temperaturat reale, është lagështira.
Tirana është një nga qytetet me më shumë lagështi ndaj dhe mëngjesi ndihet më i ftohtë.
Sa i përket reshjeve të dëborës, priten në pjesën e dytë të muajit dhe kryesisht në zonat malore.
Fundjava e parë e muajit do të jetë në temperatura të larta përgjatë vijës bregdetare.
Ka sinjale në pjesën e dytë të shkurtit për reshje dëbore në zonat malore, në sasi të pakta le të themi, por presim që shkurti edhe nga ana klimatike le të themi do jetë i ngjashëm me shkurtin tipik, që nuk ka shumë reshje dhe, nëse e krahasojmë me dhjetorin dhe janarin është shumë më i thatë.
Sa i përket temperaturave, shkurti ka nisur me temperatura më të larta, pritet që pjesa e parë të jetë e ngrohtë, me ditën e diel kur do të arrihet 20 gradë.
“20 gradë këtë të diel në vijat bregdetare të ulëta, Vlora, Saranda, 19 Fieri, Lushnja, 18 Tirana, Durrësi, 18-19 gradë pra temperatura shumë të larta përgjatë kësaj fundjave”.
Për ata që duan të shijojnë dëborën, mund ta gjejnë në malin e Korabit, Tomorrit dhe në Razmë.
Java e ardhshme nis sërish me temperatura të larta dhe reshje kalimtare në fund të saj.
Por Porja thotë se do të ketë edhe një episod me të ftohtin polar.
“Edhe java tjetër kështu do të nisë, me temperatura të larta.
Në datat 10-11 ka reshje shumë të pakta dhe kalimtare, janë jo më shumë se dy ditë.
Një episod të ftohtë do ta përjetojmë në pjesën e dytë të shkurtit i cili do të zgjasë jo më shumë se tre apo katër ditë, ku temperaturat mund të shkojnë sërish, në zonat malore e theksoj, -5 gradë apo -6.
Pra një të ftohtë polar do ta përjetojmë edhe në shkurt.
Dimri do të marrë disa ditë prej pranverës ndaj marsi nuk do të jetë muaji kur mund të hiqni xhupat.
“Dimri do të zgjasë, edhe kjo është interesante, do marrë ‘borxh’ nga pranvera deri nga data 20 mars.
Pra nuk është çudi që ne të shikojmë edhe në mars dëborë.
Duke qenë se në dhjetor kemi patur mot shumë të ngrohtë, pra do t’i plotësojë pa diskutim ditët e veta.
Parashikohet që tiparet për nuancat e dimrit t’i kemi edhe në pranverë dhe kryesisht është marsi ai që do të jetë të paktën deri nga data 20, kur mund të ketë një tjetër episod. Pritet edhe dëborë në zonat malore kështu që deri në datën 20 mars nuk është se do të jemi zyrtarisht në pranverë. Do futemi pak më vonë, por do qëndrojmë më gjatë”