Erjona është vetëm 19 vjeçe dhe ka sjellë në “Shihemi në Gjyq” babain e saj, Maliqin. Sipas shpjegimit të saj, i ati e ka martuar që 16 vjeçe dhe sot ajo është ndarë. I ati nuk e pranon më në shtëpi sepse thotë se njeh vetëm Kanunin e Lekë Dukagjinit, një deklaratë që lë gojëhapur publikun e programit “E Diela Shqiptare” në Tv Klan.
Erjona: Kam qenë e martuar që 16 vjeçe, kam ndenjur 3 vjet me burrë dhe pas asaj unë jam ndarë se më torturonte shumë.
Maliq: Po unë çfarë halli kam unë që më ke thirrur? Unë jam babi.
Erjona: Unë të kam thirrur se ti më ke ndarë.
Maliq: Të ka ndarë babi se të kam bërë tamam.
Erjona: Po pse më ke ndarë? Unë burrë nuk kam, djalë s’kam. Unë s’kam ku të dal, ti më ke lënë mes katër rrugëve.
Maliq: Sipas kanunit tim që kam, unë të kam ndarë ty. Ti je në punën tënde e unë në punën time. Nuk të kam veç ty.
Erjona: Më ke lënë në katër rrugët e dynjasë.
Maliq: Po kam edhe 9 kalamaj të tjerë moj bijë. Jam 60 e ca vjeç, unë s’jam në punë, s’kam pension.
Erjona: Mua s’më ke kalama ti?
Maliq: Të kam kalama po unë ju kam dhënë të drejtën secilit te burri i vet, te fëmija i vet.
Erjona: Po burri pra, më ka ndarë ai. Burri më ka ndarë, ku do rri unë?
Eni Çobani: Zoti Maliq, në ç’moshë e ke martuar ëktë vajzën pa lëri këto sa fëmijë ke ti?
Maliq: Sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit, vajzën e kam martuar 16 vjeçe.
Eni Çobani i tregon Maliqit certifikatën e gjendjes civile të vajzës së tij ku ajo figuron vetëm me djalin dhe pa një bashkëshort.