Hiqet bonusi i bebes për shqiptaret që jetojnë jashtë/ Përfituan mbi 37 mln euro në 4 vite

by admin

Në vitin 2019 qeveria vendosi që të ndërmerrte një politikë për mbështetjen e familjeve të reja me qëllim rritjen e lindshmërisë, duke ofruar bonus për bebet që vinin në jetë. Masa e bonusit për fëmijën e parë u caktua 40 mijë lekë, për fëmijën e dytë 80 mijë lekë dhe për fëmijën e tretë 120 mijë lekë.

Kjo mbështetje financiare përfitohej edhe nga fëmije e lindur jashtë vendit, ndërsa së fundmi duket se kjo kategori do të përjashtohet pasi projektligji që penalizon emigrantët po diskutohet në komisionet kuvendore.

Komisioni për Çështjet Ligjore diskutoi këtë të hënë ndryshimet në ligjin për asistencën sociale, që heqin bonusin e bebes për fëmijët e lindur nga emigrantët shqiptarë që jetojnë jashtë vendit. Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Denada Seferi, tha se me këtë propozim do të shmangen përfitimet e dyfishta, pasi familjet që jetojnë jashtë vendit përfitojnë edhe nga vendet ku jetojnë edhe punojnë. Propozimi nuk u prit mirë nga opozita, e cila vuri në dukje mungesën e raportit dhe ndikimin që ky propozim ka në buxhetin e shtetit.

Qeveria ka shpërndarë 110 milionë euro në katër vite, që kur hyri në fuqi skema e mbështetjes financiare e bonusit të bebes për familjet. Një e treta e kësaj shifre, ose më shumë se 37 milionë euro janë transferta që i kanë përfituar emigrantët shqiptarë për fëmijët e lindur jashtë vendit. Të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë tregojnë se numri total i lindjeve është gati 162 mijë, ndërsa INSTAT raporton 108 mijë lindje. Diferenca shpjegohet me faktin që Ministria e Shëndetësisë numëron edhe të porsalindurit jashtë vendit, ndërsa INSTAT vetëm lindjet brenda vendit.

Bonusi i bebes zbatohet prej 1 janarit 2019 që mbështet familjet nëpërmjet dhënies direkte të çekut me vlerën e 40 mijë lekëve për fëmijën e lindur të parë, 80 mijë lekë për fëmijën e dytë dhe 120 mijë lekë për fëmijën e tretë. Bonusi përfitohet për të gjithë fëmijët e regjistruar në Shqipëri, edhe nëse foshnja ka lindur jashtë shtetit, në formën e çekut që tërhiqet nga nëna. Për shkak të numrit të lartë të bebeve përfituese jashtë Shqipërisë në muajin Ministria e Shëndetësisë ka hedhur për konsultim përjashtimin e përfitimit të bonusit nga familjet e emigrantëve.

You may also like

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy