Themeluesi i zyres ligjore “Rado Canada Visa”, Klodian Rado ka ndarë disa këshilla për të gjithë shqiptarët që duan të emigrojnë në Kanada.
I ftuar në “ABC e Mëngjesit”, ai tregoi kriteret për çdo student që do të studiojë atje. Ndërsa, sa i përket profesioneve, Rada zbuloi se cilat janë më të kërkuara. Sakaq, ai u ndal dhe te mundësitë që i jepen dikujt që do të hapë një biznes.
“Në fakt tre janë kriteret kryesore nëse dikush do të studiojë në Kanada. Kriteri i parë është të gjesh programin që bën sens për zhvillimin tënd, sepse oficeri e analizon këtë. E dyta, të kesh nivelin e anglishtes dhe e treta të kesh mjaftueshëm para për të kryer studimet. Edhe me që jemi te pjesa e parave, Kanadaja ka edhe atë që janë kostot më të ulëta krahasuar me vendet e nivelit të saj siç është SHBA, Britania, Australia.
Sa i përket biznesmenëve, Kanadaja i jep mundësi. Çdokush që ka 250 mijë dollarë dhe ka një ide brilante për ta zhvilluar atë, Kanadaja i thotë ‘Hajde’. Teknologjia mund të eci, një ide e fundit e dikujt ishte që ai mund të pastronte dhe të gatuante mëngjesin dhe drekën në shtëpinë e të huajve. Një risi kjo, pasi askush nuk gatuan te shtëpia e tjetrit.
Profesionet e ndërtimit janë goxha të kërkuara sepse është goxha i shtrenjtë ndërtimi në Kanada, me kosto goxha të larta. Për gjuhën e huaj, kërkohet një nivel më tepër se bazik komunikimi sepse e lidhin me problemet, për shembull, ra flaka atje ku punon dhe duhet të dish të marrësh në telefon zjarrfikësen dhe policinë. Pra, një lloj komunikimi bazë kërkohet, A1.
Disa nga profesionet më të kërkuara në Kanada janë shkencat kompjuterike, shkencat në raportet me shëndetin, sidomos pas Covid ka pas një shpërthim të kërkesave për to, ekonomiku shoh që goxha ecën, shkencat e ndërtimit janë shumë të kërkuara, elektriçist, hidraulik, shoferë”, u shpreh Rada.