Pasagjerëve që kishin prerë një biletë me kompaninë ajrore Wizz Air dhe kishin si destinacion Athinën ditën e djeshme, i është dashur të presin me orë të tëra në aeroportin e Rinasit.
Fluturimi që ishte planifikuar në orën 22:40 të 24 korrikut, është shtyrë me plot 13 orë duke shkaktuar kaos mes pasagjerëve, të cilët me të drejtë ankoheshin për shtyrjen e udhëtimit për më shumë se gjysmë dite.
Kaosi në këto ditë të nxehta vijoi edhe më tej për pasagjerët pasi nuk pati dhoma të lira në hotel për t’i akomoduar kështu që sorrollatjet për ta nuk kishin të sosur.
Duhet pasur parasysh fakti që përveç atyre që shkonin për të vizituar Athinën, kishte dhe të sëmurë e të moshuar që kishin lënë oraret për vizitat mjekësore në kryeqytetin fqinj. Por vonesa dhe mungesa e informacionit nga kompania Wizz Air bëri që pasagjerët të mos jenë në kohë për të zgjidhur problemet e tyre.
Kjo nuk është hera e parë që qytetarët ankohen për kompaninë Wizz Air, pasi një pjesë e konsiderueshme e fluturimeve sidomos në destinacionet më kryesore, shtyhen e madje dhe mund të anulohen fare.
E njëjta gjë ndodhi edhe me disa nga fluturimet e djeshme, ku pati shtyrje për 2 orë me fluturimet drejt Barcelonës dhe Ankonës.
Ajo çfarë irriton më shumë pasagjerët është terri i informacionit nga ana e Wizz Air duke mos i dhënë asnjë sqarim qytetarëve.