Babai i 5-vjeçarit që humbi jetën nga Covid-19 ka rrëfyer të gjithë ngjarjen që kur i biri ishte shtruar në spital në qytetin e Sarandës deri tek dërgimi me helikopter në Tiranë ku u fut në intubim.
Në mesazhin e dërguar në Top Channel, Alket Halili shpjegon se fillimisht, mjekët i thonin se djali kishte virozë dhe askush nuk e kuptoi se një nga mushkëritë i kishte dalë jashtë funksionit.
Madje infeksioni kishte avancuar dhe i kishte infektuar edhe mushkërinë tjetër. Pas analizave të kryera, Halili tregon se e dërguan me helikopter në Tiranë, ku u fut në intubim dhe doli pa shenja jete.
“Djalin tim e kam dërguar për 3 ditë rresht në pediatrinë e Sarandës ku asnjë doktor nuk e kuptoi që fëmija im kishte problem dhe thonin që është virozë. Djali sa vinte dhe përkeqësohej ditën e hënë në mëngjes. E cova përsëri djalin në pediatri dhe isha lidhur me doctor Ptomeleo Peta, i cili më ndiqte djalin që të vogël, i bëri grafi. Na tha që djali nuk ka gjë nga mushkëritë kur djalit tim i qe mbushur mushkëria e majtë plot me qelb dhe i kishte dalë jashtë fuksionit, plus i ishte infektuar pak dhe e djathta.
Duhet të vinte doktor Niko Kuri që t’i bëhej skaner djalit. Pas skanerit na dërguan me helikopter në Tiranë ku djali im ka shkuar me datë 18 tetor. Një ditë më vonë është intubuar ku nga intubimi nuk u zgjua më. Djali doli nga spitali i vdekur në datën 25 tetor në darkë”, shkruan Halili.
Ndërsa thekson se kërkuan që ta dërgonin djalin në Turqi, por mjekët nuk e lejuan duke i thënë se nuk e merr njeri përsipër sepse mushkëria e majtë i kishte dalë jashtë funksioni.
“Djali im nuk ka lëvizuar nga reanimacioni i pediatrisë të Nënë Terezës asnjë ditë për të shkuar në Turqi.
Ne si prindër kërkuam ta largonim djalin në Turqi por doktorët e reanimacionit na thanë që nuk e lëvizni dot sepse nuk ka spital që ta marrë përsipër djalin pasi një mushkëri i kishte dalë jashtë funksionit nga qelbi. Nuk dua që të luhet me shpirtin e djalit tim që po ha dhe. Nuk dua që të përfitoj njeri nga djali im, prandaj edhe pse më dhemb shpirti nuk mund ta lë me kaq”, shpjegon Halili.
Sa i përket tamponit, sqaron se testet e kryera në Sarandë dhe një test i kryer në një laborator privat në Tiranë i dolën negative.
“Kemi bërë 2 teste për Covid në Sarandë dhe doli negativ. Bëmë edhe në Tiranë me të njëjtin kampion gjaku, një në shtet, një në privat. Në shtet doli pozitiv kurse në privat na doli negativ”, përfundon Halili.