Ndryshime në maturën shtetërore!
Kjo është java e fundit e mësimit për nxënësit e klasave të 12, të cilët duke nisur nga 1 qershori do të zhvillojnë provimet e maturës.
Provime të cilat nuk do të zhvillohen më në klasa me 15 nxënës, por në hapësira të mëdha.
Si për shembull në gjimnazin Qemal Stafa në Tiranë do të shfrytëzohen korridoret ku do zhvendosen karriget dhe bankat, si dhe gjithashtu procesi do të monitorohet nga kamera.
“Po punojmë me nxënësit që të fokusohen te pyetjet e të ruajnë qetësinë për të nxjerrë potencialin më të mirë të tyre në mjediset e provimit. Risia nuk është vetëm mjediset e hapura që do zhvillohen provimet, por edhe monitorimi I tyre për të mos lejuar problematika si kopjet”– tha Klotilda Jaupaj.
Mjediset e provimeve duhet të jenë të mjaftueshme për të paktën 150 nxënës që duhet të vendosen në largësi jo më pak se 1.2 metra.
Ky ndryshim i rregullores së maturës ka ndarë gjimnazistët, disa e vlerësojnë si pozitive metodën e re, ndërsa të tjerë pëlqejnë atë të mëparshmen.
Maturantët do të testohen fillimisht në testin e anglishtes më 1 qershor,6 ditë më pas në lëndën e gjuhës shqipe e letërsisë, ndërsa në 13 qershor do të zhvillojnë provimin e matematikës dhe e mbyllin 3 vitet e gjimnazit duke testuar njohuritë në lëndën me zgjedhje në 19 qershor.
Këtë herë ata kanë të drejtën të kërkojnë rivlerësimin e tezës.