Shkodra dhe e gjithë Shqipëria u zgjua sot pa një artist të jashtëzakonshëm, Mjeshtrin e Madh, Zef Deda.
Ishin këto fjalët e “Artistes së Merituar”, Zyliha Miloti me të cilën padyshim që bien dakord të gjithë shqiptarët anë e kënd botës që janë rritur me humorin e Zef Dedës, me të cilin ka përcjellë dritë në familjet shqiptare edhe në kohët më të errëta të vendit.
Në një intervistë për “Aldo Morning Show” në Tv Klan, i cili kësaj here ka shkuar në Shkodër në nder të Mjeshtrit të Madh, Zef Dedës, e madhja Zyliha Miloti rrëfeu mes emocioneve të forta “Zef Dedën e kujtimeve të saj”.
Mes të tjerash, ikona e estradës shqiptare, Zyliha Miloti tregoi se artisti Zef Deda edhe në 2-3 ditët e fundit të jetës së tij, sëmundja nuk ia kishte shuar buzëqeshjen karakterizuese, me të cilën bëri për vete të gjithë artdashësit shqiptarë.
Aldo: Ju të gjithë sot keni ditë të vështirë apo jo?
Zyliha Miloti: Jashtëzakonisht të vështirë. Unë ju falenderoj për mundin që keni marrë për të nderuar një figurë të madhe të artit shkodran. Sot Shkodra është zgjuar pa një artist të mirë, gjithë Shqipëria, pa artistin e madh Zef Deda, ditë shumë e vështirë. Sidomos për të folur për një koleg me të cilin kemi kaluar më shumë se një gjysmë shekulli, një njeri i madh dhe një artist që Zoti e kishte pajis me të gjitha. Një aktor i mrekullueshëm, një instrumentist që ulej në piano dhe merrte saksin. Më fal, kam shumë emocione.
Aldo: A të vjen ndërmend kur e ke parë për herë të parë fare?
Zyliha Miloti: Zefi ka pasur babin piktor, skenarist në Teatrin “Migjeni”. Zefi ka qenë 5 vjeç kur e ka puthur skenën e Teatrit “Migjeni”. Zefi ka qenë alegria e estradës, “Benjamini” siç i thojnë në Shkodër. Ai krijonte atmosferë para se të fillonte shfaqja. Bënte zhurmë, kërkonte, krijonte atmosferë të bukur për ne. Ka qenë i shkathët, i mirë i dashur. Janë rritur jetim 3 fëmijë sepse babai i ka vdekur shumë i ri. Kanë vuajtur shumë në jetë të shkretit.
Aldo: Zefi është nga ato njerëz që kam përshtypjen se nuk harrohen kurrë.
Zyliha Miloti: Sigurisht. Ai fizikisht nuk është më, por veprat e tij dhe arti i tij do të mbeten për të gjithë jetën. Çudi e madhe që t’i ndodhë Zefit, por thuaj ti nuk pyet… Ka qenë shujmë i shkathët. Nuk kam menduar kurrë se Zefi do të vdesë para meje sepse unë jam më e madhe. Kam menduar se Zefi do të mbajë arkivolin tim, por këto janë fatkeqësitë. Më vjen keq se po na shuhen artistat.
Aldo: Cila gallatë të vjen ndër mend për Zefin nga ato që nuk kanë dalë?
Zyliha Miloti: Kur udhëtonim në autobusat e asaj kohe, por Zefi ishte sa në fund të autobusit, sa në fillim. Sigurisht që atje ka pasur të moshuar dhe nganjëherë i bërtisnim “Zef nuk të durojnë të gjithë se të durojmë ne”. Por ishte natyra e tij që të mos qëndronte në një vend. Ka qenë i jashtëzakonshëm. Ka 2-3 ditë sepse kemi shkuar vazhdimisht me e pa dhe shkuam madje me drejtorin dhe po bisedonim, qeshte, fliste dhe pranë tij ishte edhe zonja e tij, Roza. I thotë Arjani “unë nuk e di se kush është i sëmurë sot, a mund ta në tregosh?” I shkreti Zef! Kam kujtime shumë të bukura. E vështirë sot për ne që të përcjellim kolegun tonë.
Homazhet për artistin e madh, Zef Deda, do të zhvillohen ditën e sotme në teatrin “Migjeni” të cilit ai i kushtoi jetën artistike.