Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Rovereto të Italisë. Një 48-vjeçar shqiptar, identiteti i së cilit nuk është bërë ende i ditur, ka goditur me sëpatë fqinjen e tij, 63-vjeçaren Mara Fait.
Mediat e huaja shkruajnë se infermierja në pension po ecte poshtë shtëpisë së saj së bashku me nënën e moshuar mbrëmjen e së premtes kur u sulmua papritur në kokë me sëpatë nga fqinji i saj. Fatkeqësisht, goditja ka qenë fatale për 63-vjeçaren, e cila nuk ka mundur që të ju rezistojë plagëve të marra.
Pasi kreu aktin kriminal, shqiptari është dorëzuar në polici, ku dhe është arrestuar. Fqinjët kanë treguar se ata kanë pasur një debat të ashpër më herët. Referuar fqinjëve, shqiptari gjithashtu dyshohet se i ka thyer celularin dhe i ka dëmtuar makinën 63-vjeçares.
Karabinierët e Roveretos së bashku me ekspertët e mjekësisë ligjore dhe Policinë e Shtetit kanë nisur hetimet. Mara Fait ka lënë pas një djalë tridhjetë vjeçar dhe nënën e saj të moshuar, e cila ishte dëshmitare e vrasjes./klan/