Shorti i Euro 2024 u bë ngjarja më e fundit live që u ndërpre nga rënkime si në skena seksi.
Tingujt porn*grafikë u luajtën me zë të lartë, ndërsa skuadrat po zbulonin fatin e tyre për turneun e verës së ardhshme në Gjermani.
Zhurma të forta rënkimesh u dëgjuan në disa raste, ndërsa shorti po zhvillohej në sallën e koncerteve Elbphilharmonie në Hamburg. Fillimisht tingujt u dëgjuan kur në hedhjen e goglave po tërhiqej emri i ekipit të Zvicrës në Grupin A, së bashku me Gjermaninë, Skocinë dhe Hungarinë.
“Ka një zhurmë këtu… që tani u ndal,” tha mikëpritësi i shortit dhe njëherazi zëvendës sekretari i përgjithshëm i UEFA-s , Giorgio Marchetti, duke u drejtuar nga regjia, ndërsa tingujt u ndalën menjëherë. “Në rregull, nuk ka më zhurmë…” shtoi ai.
Megjithatë, zhurmat rifilluan menjëherë kur Italia u nxorr si ekipi i fundit në Grupin B së bashku me Spanjën, Shqipërinë dhe Kroacinë, përpara se të vazhdonin për pjesën e mbetur të shortit.
Trajneri i Anglisë, Gareth Southgate i pyetur për një reagim sa iu përket rënkimeve tha: “Kam dëgjuar diçka dhe nëse e mendon mirë, dyshoj se ka qenë ndonjë lloj shakaje, por nuk mund ta kuptoja saktësisht se çfarë ishte.”
Daniel Jarvis, një personazh i platformës online i njohur si ‘Jarvo69’, mori menjëherë përgjegjësinë për shakanë ‘pa kripë’, duke pretenduar në një transmetim të drejtpërdrejtë se gjithçka ishte një rreng i tyre: “Ne ja dolëm, arritëm ta bënim këtë. Zhurmat e seksit në shortin e Euro 2024. Ju dua djema.”