Specialistja nga Instituti i Gjeoshkencave Anira Gjoni, zbuloi gjatë një lidhjeje direkte për Euronews Albania situatën metorologjike në vend, gjatë ditëve në vijim.
Kjo e martë 25 korrik, ndoshta do të jetë dhe dita më e nxehtë e gjithë verës sipas specialistes.
“Dita e sotme presim që të arrihet temperatura maksimale e këtyre tre javëve, ndoshta edhe të gjithë verës, por kjo do të ngelet për t’u parë, pasi është edhe muaji gusht për t’u kaluar”, tha ajo.
Sipas Gjonit duke filluar nga dita e nesërme dhe ajo me pas do të ketë një rënie temperaturash në nivelin e 35 gradëve celcius në zonat bregdetare dhe 31 në zonat malore.
Kjo temperaturë do të vijojë gjatë gjithë fundit të muajit korrik, por do të rritet sërish në gusht pas dates 4, duke shkuar në nivelin e 38 gradëve. Nuk priten temperatura ekstreme gjate gushtit si kjo vale e nxehte.
Gjithashtu ajo foli edhe për rreziqet që sjellin temperaturat e larta duke filluar nga thatësira e deri tek zjarret.
“Problematika kryesore që vjen direkt nga kjo rritje e këtyre temperaturave sigurisht e kombinuar me pjesën e thatësirës dhe me tharjen e bimësisë, kjo rrit rrezikun potencial për t’u përhapur zjarret kryesisht në pyje por edhe në zonat urbane”, tha Gjoni.