Policia italiane ka identifikuar dy viktimat e një aksidenti të rëndë që ndodhi të premten në Ventimiglia. Sipas asaj që shkruajnë mediat bëhet fjalë për dy shqiptarë, nënë e bir. Ata janë identifikuar si B.H dhe D.E, 74 dhe 48 vjeç.
Ngjarja e rëndë ndodhi në zonën e quajtur si mbikalimi i Roverinos. Në aksident u përfshinë 3 makina, ndërsa të plagosur kanë mbetur 4 persona gjithsej. Shqiptarët udhëtonin me një makinë tip “Opel Astra”. 48-vjeçari ishte pasagjer dhe ishte ulur në sediljen e përparme. Pas tij gjendej mamaja.
Në makinë në momentin e ngjarjes ndodhej edhe një 28-vjeçar, që i jepte makinës dhe motra e tij, po ashtu të dy shqiptarë. Nga mediat nuk sqarohet nëse të gjithë këta persona kanë pasur lidhje familjare me njëri-tjetrin.
Ansa shkruan se motra është dërguar në spital me dëmtime të rënda, ndërsa shoferi 28-vjeçar ka pësuar dëme të lehta. I plagosur ka mbetur edhe një 46-vjeçar maroken që po i jepte një “Mercedes”-i dhe një 19-vjeçar që udhëtonte me skuter.
Dyshimet e para janë që shkak i aksidentit të jetë bërë shpejtësia e lartë që udhëtonte “Opel”-i. Për këtë arsye kanë nisur hetimet për vrasje në rrugë ndaj 28-vjeçarit. Dyshohet se ai ka humbur kontrollin, është përplasur me barrierën mbrojtëse, më pas me “Mercedes”-in dhe në fund ka prekur skuterin.