Ministria e Infrastrukturës në Itali po përgatit një rregullore të re shumë më të ashpër për sigurinë rrugore. Një prej masave të kërkuara me ngulm dhe nga ministri Mateo Salvini, është ‘alcolock’. Sipas tij, projekti do të dorëzohet brenda pak ditësh më parlament për miratim dhe objektivi kryesor është ashpërsimi i dënimeve për ata që drejtojnë automjetin nën ndikimin e alkoolit dhe drogës.
Pikërisht për këtë arsye është menduar dhe ‘alcolock’ që do të prekë të gjithë ata që janë dënuar për drejtim automjeti nën ndikimin e alkoolit. Ky mjet, i cili aktualisht përdoret dhe në vende të tjera europiane, bën të pamundur ndezjen e automjetit nëse niveli i alkoolit në gjak i shoferit është mbi zero. Një masë shumë e rëndësishme që synon parandalimin e një prej shkaqeve kryesore të aksidenteve rrugore.
Por një risi tjetër është dhe paketa e normave që i dedikohet scooter-ave elektrikë: kasko dhe targë e detyrueshme, përvec sigurimit të paguar. Dënimet për parkim të ndaluar dhe kundravajtje paralajmërohen të jenë shumë të rënda.
Për personat të cilëve do iu merret patenta në rast shkeljeje, para se të kenë sërish të drejtën për të drejtuar një mjet do të duhet të ndjekin kurse edukimi rrugor të detyruar në shkollat përkatëse.
Gjithashtu mendohet dhe unifikimi i radarëve rrugorë në nivel kombëtar, me objektivin për të shpëtuar jetë dhe jo për të mbushur arkat e bashkive. Salvini theksoi se brenda muajit qershor do të ketë më shumë rregulla në kodin rrugor dhe edukim në rrugët italiane.
Dorina Kurtaj / SCAN